Termi “diversitet biologjik” u përdor për herë të parë në vitin 1968 nga shkencëtari i faunës së egër dhe ambientalisti Raymond F. Dasmann, në librin e tij A Different Kind of Country advocating conservation. . Megjithatë, termi u përdor gjerësisht vetëm pas më shumë se një dekadë, duke gjetur përdorim të përbashkët në fushën e shkencës dhe të politikave mjedisore në vitet 1980. Ishte Thomas Lovejoy i cili, në parathënien e librit Conservation Biology, ia paraqiti termin komunitetit shkencor.

Qysh atëherë, termi është përdorur mes biologëve, ambientalistëve, liderëve politikë dhe qytetarëve të interesuar. Konferenca e OKB-së, në vitin 1992, mbi Mjedisin dhe Zhvillimin (Samiti i Tokës) e përkufizoi diversitetin biologjik si “ndryshueshmëria midis organizmave të gjallë nga të gjitha burimet, duke përfshirë, ndër të tjera, tokësore, detare dhe ekosisteme të tjera ujore, dhe komplekset ekologjike të të cilave ato janë pjesë: kjo përfshin diversitetin brenda llojeve, mes llojeve dhe të ekosistemeve”. Ky përkufizim është përdorur në Konventën e OKB-së për Diversitetin Biologjik – dokumenti ndërkombëtar që përcakton politikën e biodiversitetit në nivel global.

Objektivat e kësaj Konvente janë “ruajtja e diversitetit biologjik, shfrytëzimi i qëndrueshëm i komponentëve të tij dhe ndarja e drejtë dhe e barabartë e përfitimeve, që vijnë nga shfrytëzimi i burimeve gjenetike, duke përfshirë një qasje të duhur në burimet gjenetike dhe një transferim të përshtatshëm të teknologjive përkatëse, duke pasur parasysh të gjitha të drejtat mbi ato burime dhe teknologji, dhe nëpërmjet fondeve të duhura”.

Biodiversiteti bujqësor është pjesë e biodiversitetit në tokë dhe mund të ndahet në dy kategori:

  • Intraspecifik – shumëllojshmëria gjenetike brenda një specie të vetme.
  • Ndërspecifik – numri dhe llojet e specieve të ndryshme që janë të kultivuara, të tilla si patatet, karrotat, specat, sallata jeshile, etj.

Diversiteti ndërspecifik i kulturave është, pjesërisht, përgjegjës për diversitetin e ushqimit tonë ndërsa diversiteti intraspecifik brenda një specie të vetme na ofron zgjedhje në dietën tonë dhe përshtatshmëri në kushtet lokale klimaterike. Nëse një produkt nuk ia del me sukses në një monokulturë, ne mbështetemi në diversitetin e bujqësisë për të siguruar diçka të re për t’u rimbirë; nëse një parazit shkatërron një kulturë gruri, një varietet më rezistent gruri mund të mbillet vitin e ardhshëm. Biodiversiteti gjithashtu mund të ofrojë zgjidhje në rastet e fatkeqësive bujqësore:

  • Kur virusi RGSV (rice grassy stunt virus) goditi fushat nga Indonezia në Indi, në vitet 1970, 6273 varietete u testuan për rezistencën e tyre. Vetëm një varietet indian u gjet se ishte i qëndrueshëm dhe rezistent, i njohur vetëm për shkencën deri në vitin 1966. Ky varietet u hibridizua me varietete të tjera dhe këto hibride janë sot të njohura gjerësisht.
  • Sëmundja e ndryshkut të kafesë goditi plantacione të tëra kafeje në Sri Lanka, Brazil dhe Amerikën Qendrore, në vitin 1970. Një varietet rezistent u gjet në Etiopi.

Praktika e monokulturës ka qenë një faktor që ka kontribuar në disa fatkeqësi bujqësore, duke përfshirë edhe rënien e industrisë së verëtarisë evropiane në fund të shekullit të 19të dhe epideminë në Shtetet e Bashkuara të SCLB-së (Southern corn leaf blight). Sëmundja e patates në Irlandë, në vitin 1846, shkaktoi vdekjen e një milion njerëzve dhe emigrimin e rreth dy milionë më shumë. Ajo ishte rezultat i mbjelljes së vetëm dy varieteteve të patates, të dyja të prekshme ndaj sëmundjes së Phytophthora infestance, që goditi në vitin 1845.

Edhe pse rreth 80% e furnizimit të njerëzve me ushqim vjen nga vetëm 20 varietete të bimëve, njerëzit përdorin të paktën 40,000 specie. Shumë njerëz varen nga këto specie për ushqim, strehim dhe veshje. Biodiversiteti mbijetues i Tokës siguron burime për rritjen e gamës ushqimore dhe të produkteve të tjera të përshtatshme për përdorim nga ana e njeriut, edhe pse përqindja aktuale e zhdukjes është duke e ulur atë potencial.

Prandaj, njëzet vjet pas Samitit të Tokës në Rio (Rio Earth Summit), Kombet e Bashkuara e caktuan periudhën nga 2011-2020 si Dekadën e Kombeve të Bashkuara mbi Biodiversitetin.