Terra Madre Ballkan është një rrjet i të gjitha komuniteteve të ushqimit dhe të projekteve Slow Food në Gadishullin e Ballkanit. Qysh nga viti 2010, Terra Madre Ballkan bën përpjekje për të ruajtur, mbrojtur dhe shpëtuar traditat gastronomike dhe biodiversitetin ushqimor të një prej rajoneve më tërheqëse dhe më pak të njohura të Evropës.

Brenda vendeve të Ballkanit, Slow Food dhe rrjeti i Terra Madre kanë mbi 1,500 anëtarë, 12 Presidia të Slow Food, 60 komunitete ushqimi, 15 programe edukuese në shkolla për sa i përket ushqimit dhe shijes, dhe 26 shefa. Të gjithë anëtarët e rrjetit e kuptojnë se mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë gastronomike kërkon një përpjekje urgjente dhe të bashkëndarë, që shkon përtej kufijve kombëtarë.

Rrjeti i Terra Madre Ballkan mblidhet çdo dy vjet, por energjia e tij është kryesisht e shpërndarë në nisma të vogla në gjithë rajonin: shkëmbimet e njohurive mes prodhuesve boshnjak e maqedonas, seminaret trajnuese në Rumani për studentët nga vende të ndryshme, fushatat për të mbrojtur peizazhin dhe të drejtat e fermerëve të vegjël, dhe festivalet nëpër fshatra që festojnë agro-biodiversitetin vendas dhe më të mirën e kuzhinës lokale. E gjithë kjo është Terra Madre Ballkan.