Terra Madre, zëri i fshatarëve në Tiranë

Tregu i Tokës solli në sheshin Nënë Tereza mbi 50 stenda me prodhues dhe fermerë të vegjël nga i gjithë Rajoni, degustime, koncerte, konferenca dhe një kuzhinë të hapur ku disa nga kuzhinierët më të njohur të vendit gatuan e dhanë spektakël gjatë tri ditëve të aktivitetit. Këtë vit Terra Madre Balkans zbriti në Tiranë edhe për kontributin e jashtëzakonshëm që kuzhinierët shqiptarë mund t’i japin rrjetit Slow Food. Gjatë prezantimit, presidenti Carlo Petrini kujtoi se Aleanca e Kuzhinierëve në Shqipëri, e krijuar një vit më parë, e që sot është në zgjerim të vazhdueshëm, duke bërë bashkë restorantet me prodhuesit e vegjël e duke ndihmuar ekonominë, turizmin por edhe eksportin. “Një sfidë paralele”, sipas Pertini-t, “do të jetë favorizimi i eksportit të prodhimeve ushqimore drejtuar konsumatorëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”.

_MG_3649

Ndryshe nga vendet e tjera të Rajonit – thotë Michele Rumiz, koordinator i rrjetit Slow Food për Evropën Juglindore – kuzhinierët shqiptarë i kanë dhënë hov të jashtëzakonshëm gastronomisë së vendit, si për cilësinë ashtu edhe për marrëdhëniet me prodhuesit. Terra Madre Baklans 2016 synon pikërisht që t’u japë zë fshatarëve, duke sjellë në qendër të aktivitetit prodhuesit e vegjël, për të eksploruar mundësitë dhe pengesat e qasjes ndaj tregjeve dhe politikave mbështetëse ndërkombëtare; por edhe për t’i nxitur prodhuesit të dalin nga zona gri e informalitetit e për të hedhur hapin e domosdoshëm nga prodhimi në shtëpi në prodhimin artizanal: me fjalë të tjera, për të standardizuar cilësinë. Sepse nga këndvështrimi i Slow Food – dhe i integrimit ushqimor në Evropë – ruajtja e biodiversitetit kalon edhe nga kjo përshtatje formale. “Duhet t’i bëjmë të vetëdijshëm se prodhimet e tyre do të kenë të ardhme, që të vendosin të regjistrohen”, këmbëngul Rumiz, por, në kahun e kundërt, qëndresat nuk janë të pakta: taksat, droja e rritjes së çmimit duke humbur në konkurrueshmëri, por edhe procedura formale që mund të duken të pakuptueshme për kulturat rurale të Shqipërisë dhe Ballkanit në përgjithësi. Rreziku, si gjithmonë, është që investimet të mos jenë asnjëherë të mjaftueshme për të arritur standardet e kërkuara.

Problemi i njohur i rregullave higjienike, gjithashtu në qendër të edicionit të mëparshëm, është mëse aktual. Siç sqaron prof. Sonya Srbinovska, një punishte djathi në Maqedoni, për t’u përshtatur me rregullat komunitare, u detyrua të ndërtojë nga themelet ndërtesën ku prodhohej djathë prej mëse njëqind vjetësh. Fatkeqësisht, në shkëlqimin profilaktik të ambienteve dhe pajisjeve të reja metalike, djathi nuk ka më shijen e mëparshme.

Përvoja e Pierpaolo Ambrosi-t, koordinator i aktivitetit, përgjegjës i Vis Albania dhe, siç dëshmon shqipja e rrjedhshme, prej mëse njëzet vjetësh i angazhuar në projekte bashkëpunimi ndërkombëtar këtu, na ndihmon të bëjmë një hap prapa. Ambrosi tërheq vëmendjen në të tjera aspekte, mbi të gjitha te fragmentizimi i tokave bujqësore, ku fatkeqësisht Shqipëria kryeson: këtu, 86% e tokave janë nën 2 hektarë. Janë përmasa që përjashtojnë fermerët nga financimet komunitare dhe, mbi të gjitha, nuk u sigurojnë një jetë dinjitoze. Nuk duhet harruar edhe pengesa vetëm shqiptare e pronësisë së tokës si dhe qëndresa e përbashkët e vendeve post-socialiste për t’u bashkuar në grupime që mund të sjellin ndërmend kooperativat e dikurshme. Gjatë takimeve të këtyre ditëve u përmendën edhe problemet e vaksinimit, të shërbimeve e pamjaftueshme veterinare, të abuzimit me substancat kimike, të kompetencave të kufizuara dhe rritjes së kulturave që nuk i përgjigjen nevojave të tregut.

Prej vitit 2014, Shqipëria është vend kandidat për Bashkimin Evropian dhe qeveria është e angazhuar në plotësimin e kërkesave që mund t’i garantojnë integrimin. “Këto prioritete rrezikojnë të lënë jashtë fermerët e vegjël,” paralajmëron Ambrosi. “Edhe pse në këto vite ka pasur një ndjeshmëri më të lartë ndaj promovimit të prodhimeve vendase, për sa kohë përmasat e tokave do të kenë mesataren e sotme – vetëm 1.2 hektarë – do të shkojmë drejt një braktisjeje të vazhdueshme të fshatit. Brenda 10 vjetëve, rreth 80% e fermerëve do të arrijë moshën e pensionit dhe në këto kushte nuk ka dhe nuk mund të mendohet për vazhdimësi mes brezave”.

Pikërisht për trashëgimi dhe inovacion foli edhe Carlo Petrini, duke bërë thirrje që politika t’i kushtojë vëmendje më të madhe bujqësisë, në mënyrë që kjo pasuri e lashtë dhe e rrënjosur në traditë të mund të përcillet nga brezat e vjetër tek të rinjtë, “sepse tradita s’është gjë tjetër veçse inovacion i vazhdueshëm në kohë dhe epoka të ndryshme”.

Në periudhën e industrializimit dhe teknologjisë, në Evropë shihen gjithnjë e më shpesh raste të rinjsh që zgjedhin t’i kthehen tokës, por të flasësh për njerëz që zgjedhin me dëshirë jetën e fshatit, në Ballkan është së paku e parakohshme. Në vendet ku bujqësia nuk është bërë industri, mbizotëron ende prirja për ta fshehur prejardhjen fshatare: dhe është pikërisht në këtë ndjesi turpi kulturor, që në Tiranë godet sidomos ato mijëra familje të ardhura këto dekadat e fundit, që rrënjosen edhe problemet e sipërpërmenduara të vetëdijes të potencialit të bujqësisë të pasigurive të pafundme burokratiko-ligjore. Siç thekson Dessislava Dimitrova, hulumtuese dhe koordinatore e Rrjetit Slow Food në Bullgari, mungesa e shërbimeve në zonat rurale shkurajon qëndrimin në fshat. Kush ka familje, fëmijë, duhet të mendojë për arsimimin e tyre, për shërbimet mjekësore.

“Atmosfera dhe kuadri ligjor nuk favorizojnë njësitë e vogla,” shpjegon Dimitrova. Në shumë vende politikat kombëtare nuk po duken, ndërsa direktivat evropiane, siç dihet vetëm orientuese, ngecin në paaftësinë e administratës publike. Edhe për këtë arsye, duhet fituar mosbesimi dhe qëndresa ballkanike si ndaj bashkëpunimit, ashtu edhe ndaj rrezikut të një aktiviteti privat, atje ku për kaq shumë vite çdo nismë është ndaluar dhe ndëshkuar. “Sfida për ne është që të kuptojmë se mund të dallojmë mes bashkëpunimit dhe miqësisë, të marrim përgjegjësinë e të ardhmes sonë,” përfundon.

Bashkëpunimi mes prodhuesve të vegjël ashtu si edhe mes shteteve, u shfaq disa herë në takimet e këtij edicioni, si një ftesë për ta menduar trashëgiminë kulturore të rajonit në tërësinë e tij, jo për të sheshuar dallimet, por për të kuptuar se kur problemet janë të ngjashme, edhe zgjidhjet mund të jenë të përbashkëta. Pse të mos mendojmë atëherë, shkon më tej prof. Srbinovska, edhe për një “prejardhje gjeografike ndërkufitare”, në shenjë bashkëpunimi, natyrisht, por edhe me shpresën për të shmangur përplasje mbi origjinën e “vërtetë” të produkteve. Sepse trashëgimia e ushqimit dhe territorit tonë, kuptohet, duhet të na ndihmojë të ndërtojmë barazinë mes të gjithëve, jo të kremtojë epërsinë e disave.

Por, përtej teorive e mendimeve, kremtimi i vërtetë këto ditë ka qenë në shesh, mes ecejakeve të papushimta të vizitorëve, shijeve nga i gjithë rajoni, këngëve të improvizuara nga delegatët. Në Kitchen Theater, hapësira më e populluar, ku çdo ditë kuzhinierët gatuan për qindra njerëz, flas me një Don Kishot të kuzhinës dhe Aleancës Slow Food të Kuzhinierëve. Nuk do t’ia përmend emrin, “këtu jemi të gjithë të barabartë, unë jam thjesht dikush që nga ëndrrat ka nxjerrë disa mësime jete”. Filozofi anonim këmbëngul te domosdoshmëria për të përdorur prodhime të zonës, por nuk i fsheh problemet: inflacioni i termit “produkt biologjik shqiptar”, që vështirë se mund të arrihen me parcela kaq të vogla e ngjitur me njëra-tjetrën, apo në ndotjen e shumë zonave prej industrisë, sidomos së lëkurës. Por vështirësia kryesore, thekson, është vetëm një, dhe është një zgjedhje: të prodhosh për të fituar apo të prodhosh duke menduar për cilësinë dhe shëndetin. Dhe kjo, më shpjegon, është zgjedhje individuale: niset nga ëndrra, nga brenda, nga poshtë.

Sot Terra Madre është një nismë nga “poshtë” dhe fusha e betejës është pikërisht në këto anë. Sepse 6 nga 12 milionë fermerë të vegjël në Evropë janë në Ballkan. Por, sipas Michele Rumiz-it, në vitet 2000-2012, brenda Bashkimit Evropian, bujqësia ka humbur 4.8 milionë vende pune me kohë të plotë, nga të cilat 70% në vendet e anëtarësuara së fundmi. “Është një luftë dhe po e humbim,” paralajmëron. “Nëse nuk arrijmë të shpëtojmë ndërmarrjet e vogla bujqësore këtu, në Ballkan, ku vallë do të mund t’i shpëtojmë?”.